Ariana Reçi, pronarja e një agjensie turistike është vënë në pranga nga policia e Durrësit, pasi falsifikonte testet e Covid.
Po ashtu nga policia janë proceduar dhe dy persona të tjerë që kanë udhëtuar me teste false drejt Italisë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni “Testet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.
Vihet në pranga pronarja e një agjencie udhëtimi, për falsifikim të testeve të Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë.
Procedohen penalisht dhe dy shtetas të tjerë, të cilët u kapën në tentativë për të kaluar kufirin me teste të Covid-19, të falsifikuara nga pronarja e kompanisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, si dhe të monitorimit të zbatimit të masave anticovid, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë në rrugë operative, për një kompani udhëtimi që falsifikonte testet e Covid-19, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Testet”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja A. R., 56 vjeçe, banuese në Durrës, pronare e një agjencie udhëtimi, e cila falsifikonte testet e Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare në Portin e Durrësit, u kapën dhe u proceduan penalisht dy shtetas, të cilët tentuan të kalonin kufirin për në Itali, me teste të falsifikuara nga pronarja e agjencisë së udhëtimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Fshehja e të ardhurave”