Italia do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin kundër COVID për të gjitha moshat mbi 50 vjeç, ka njoftuar qeveria. Vendimi u mor pasi vendi regjistroi një rekord 189,000 infeksionesh të reja gjatë 24 orëve të mëparshme.
Ministri Renato Brunetta tha se ky vendim e vë Italinë në pararojë të vendeve evropiane që godasin ata që refuzojnë të vaksinohen dhe që tani përbëjnë shumicën e pacientëve në shtretërit e njesive të kujdesit intensive të vendit që mbushen me shpejtësi.
Vendimi do të zbatohet gjithashtu për të gjithë stafin e universitetit, pavarësisht moshës – duke e trajtuar arsimin e lartë në përputhje me shkollat e tjera dhe me punonjësit e kujdesit shëndetësor, pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore.
“Kjo synon të ngadalësojë kurbën e rritjes së infeksioneve që lidhen me pandeminë dhe të sigurojë mbrojtje më të madhe për ato kategori që janë më të ekspozuara dhe që janë në rrezik më të madh të shtrimit në spital”, tha qeveria në një deklaratë.
Italia ka 59 milionë banorë, 28 milionë prej të cilëve janë mbi 50 vjeç, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (Istat).