Ministrja e Arsimit, Evis Kushi i është përgjigjur deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili një ditë më parë denoncoi emërimin e Hysen Koldashit si drejtor i shkollës “Ahmet Zogu” në Kamëz.
Boçi tha se ky person është shkakruar nga detyra si drejtor i shkollës “Hilari Klinton” në Kamëz në vitin 2020, pas një denoncimi nga emisioni “Fiks Fare”, për shitje të materialeve të shkollës, duke shtuar se mjafton të jesh militant partie për t’u punësuar.
Mirëpo, Evis Kushi, e cila ka publikuar disa dokumenta zyrtare, i përgjigjet duke i thënë se ky person rezulton i padënuar pasi prokuroria vendosi të pushojë çështjen kundër tij.
Postimi i Kushit
Menjëherë pas reagimit të opozitës në lidhje me rastin e rikthimit në detyrë të një drejtori shkolle në Kamëz, nisëm një proces investigimi, nga i cili rezultoi se rikthimi i këtij drejtori është bërë nga DRAP Durrës në zbatim të legjislacionit në fuqi, pas vendimit të prokurorisë për mosfillim të procedimit penal, si pasojë e mungesës së veprës penale, arsye për të cilën dhe u largua nga detyra drejtori.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e varësisë çdo vendim e marrin në zbatim të ligjit dhe duke respektuar vendimet e institucioneve ligjzbatuese, duke mos lejuar cënimin e figurës së punonjësit arsimor, drejtor, nëndrejtor apo mësues.
Bashkëlidhur gjenden:
– vendimi për mosfillimin e procedimit penal nga ana e prokurorisë,
– dëshmia e penalitetit ku rezulton i padënuar,
– vendimi mbi rishikimin e aktit administrativ,
– vendimi për emërim në detyrë të drejtorit.