Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka përpiluar listën e kandidatëve që do të garojnë në votimet për Primare në gjashtë degët e partisë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale.
Kështu, kandidatët që do të garojnë në primare për Dibrën janë Behar Dema, ekonomist, Dafina Muda, psikologe dhe Premtim Riza, arsimtar. Ndërsa, për të kandiduar për të parin e Durrësit do të garojnë, Ardian Muka, inxhinier urbanist dhe Silvja Gjepali, IT.
Në Lushnje do të garojnë në primare, Arben Zaimi, jurist, Elton Bano, avokat, Eurion Iljazi, mësues i edukimit fizik dhe Indrit Qerimi po ashtu mësues i edukimit fizik. Për Rrogozhinën, kandidatët janë Eqerem Deliu, ekonomist, Hajrulla Tafa, mësues, Hekuran Xhani, mjek veterinar, Sokol Gosa, mësues histori-gjeografie, Vladimir Manushi, mjek dentist.
Për primaret e Shkodrës, grupi i ish-kryeministrit do kandidojë Alfred Kocobashin, jurist, Arben Maliqi, po ashtu jurist, Astrit Bushati, jurist, Bardhi Spahia, mjek, Irena Shestani Shala, ekonomiste dhe Irma Alushi, pedagoge matematike.
Dhe së fundmi, për Vorën do të garojnë inxhinieri Luan Gani dhe ekonomisti Lulzim Vrana.
Ajo që bie në sy është mungesa e emrin të kryebashkiakes aktuale Voltana Ademi tek kandidatët e Shkodrës, edhe pse pritej që ajo dhe Bardh Spahia të ishin dy favoritët për të marrë vendin e parë në primare.
Nga sa bën të ditur vetë Komisioni i Rithemelimit, qendrat e votimit do të jenë si më poshtë:
Procesi i votimit do të hapet nesër në orën 08.00 në të gjashta bashkitë e vendit dhe do të mbyllen në orën 17.00. Në rast se në Qendrat e Votimit do të ketë ende votues, procesi do të vijojë.
Disa ditë më parë, ish-kryeministri Berisha tregoi, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, sesi grupi i tij do të përcaktojë kandidatët për kryebashkiakë për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit në 6 bashkitë pa kryetarë.
Berisha tregoi se kandidatët do të përcaktohen nga anëtarët përmes zgjedhjeve në struktura. Ata që do të marrin më shumë vota do të jetë zyrtarisht kandidatë. Modeli i primareve është marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.