Droga që kishte destinacion trafikantët shqiptarë ka fundosur një shofer italian. Drejtuesi i kamionit frigoriferik Massimo Fonnesu u ndalua nga policia financiare pasi brenda mjetit që ai drejtonte u gjetën 12 kg kokainë.
Ai është lënë në burg me vendim të gjyqtares Caterina Interlandi, ndërsa shoferi i cili përfaqësohej në gjykatë nga avokati Giuseppe Corda zgjodhi të mbrohej duke heshtur para togave të zeza.
Operacioni që solli arrestimin e tij nisi mëngjesin e të enjtes së kaluar në Isola Bianca kur u ankorua anija nga Livorno. Massimo Fonnesu u vu në pranga pas kontrollit në kamion ku u pikas një valixhe e zezë. Brenda saj ndodhej kokaina e pastër e ndarë në 12 copa nga 1 kg secila.
Shoferi 55-vjeçar deklaroi se nuk e dinte se çfarë kishte brenda valixhes ndërsa i tha policëve se kishte për t’ia dorëzuar atë disa shqiptarëve. Por askush nuk u paraqit në vendin e treguar për dorëzimin dhe kështu Fonnesu u akuzua për trafik droge.
Ai u kishte rënë në sy policisë që në fillim të aksionit për kontrollin e anijes pasi u përpoq të largohej. Përpjekja e tij rezultoi e dështuar sepse teksa efektivët po kontrollonin dokumentacionin, qentë e anti-drogës Betty, Oliver dhe Daff nisën të nuhasin duke treguar me shenjë nga brenda kamionit.
/abcnews.al