Bindja Demokratike mbështet kandidatët e opozitës dhe inkurajon zgjedhësit që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, duke vlerësuar sipas rastit individin më të mirë.

Bordi Drejtues i saj në mbledhjen e sotme vlerësoi se mosarritja e konsensusit për pasjen e një kandidati të përbashkët përballë qeverisë i dëmton shumë interesat dhe pritshmeritë e opozitës në të gjashta njësitë vendore. Por kjo është një kosto, të cilën duhet ta mbajnë më shumë ata që e shkaktuar, edhe pse ajo cënon drejpërsëdrejti interesat e zgjedhësve të tyre.

Kjo është një faturë e madhe, që përmbledh vendimin e marrë për djegien e mandateve, që u shoqërua më pas me bojkotimin e zgjedhjeve, si dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit të brendshëm në Partinë Demokratike.

Në kushtet e krijuara çdo kandidaturë e re nga radhët e opozitës vetëm se do ta rëndonte edhe më tepër pozitën e saj në raport me maxhorancën dhe do të zbehte edhe më shumë shanset për fitore.

Ndaj duke i qëndruar strikt parimit të shpallur që gjatë zgjedhjeve të vitit 2019, Bindja Demokratike fton qytetarët e 6 bashkive që më 6 mars të zgjedhin atë që kanë apo ndjejnë më afër tyre prej kandidatëve të opozitës.