Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuça ka komentuar sot mega-operacionin në Elbasan, nga i cili u lëshuan 28 urdhër-arreste.
Karamuça tha për MCN se në këtë rast kemi të bëjmë me një skemë të mirëorganizuar prej vitesh, ku sipas tij të ‘burgosurit VIP’ shfrytëzojnë njohjet jashtë me gardianët e burgjeve.
Ai tha më tej se është vënë re një abuzim në futjen e sendeve nga jashtë si ilaçet, telefonat, ndërsa cilësoi si problemin më madhor korrupsionin.
“Në fakt nga të gjitha vitet që kemi inspektuar sistemin penitenciar është vënë re se ka pas skema të mirëorganizuara prej vitesh për futjen e sendeve dhe lëndëve narkotike në burgje duke përfshirë këtu dhe armë zjarri dhe të ftohta, kjo përmes bashkëpunimit që kanë njerëzit jashtë me gardianët e burgjeve. Ky rast është për tu përshëndetur sepse për herë të parë ka një grup të arrestuarish kaq masiv. Ky hetim është nga të parët që ndodh.
Kemi pasur raste shumë vite më parë se kemi identifikuar lëvizje për shembull te 313 nga sektori i femrave ngjiteshin natën meshkuj dhe bëheshin takime speciale dhe u identifikua dhe u morën masa.
Kështu që këto janë tendenca të shtuara, në këtë rast provohet se në ç’masë është korrupsioni, rreziku është i madhe sepse personat e përfshirë janë persona që ndër vite janë marrë me gjëra të jashtëligjshme apo kanë tentuar të arratisen. Është vënë re dhe po të shohin aty ka një abuzim të shtuar me futjen e sendeve si ilaçe, celular etj, janë arrestuar herë pas here dhe gardianë burgjesh që kanë ndihmuar për futjen e tyre.
Ka pas dhe futjen e femrave gjatë natës por kjo është ende në hetim. Një nga problemet më madhore ka qenë korrupsioni dhe kjo vihet re që te qelitë ku një prej tyre jeton një person që ka Tv, frigorifer gjithçka, dhe ngjitur me të është një qeli me 4 persona.
Ky paguan për të jetuar me kaq shumë benefite. Pra personat që kanë një buxhet të mirë parash mund të korruptojnë lehtë. Korrupsioni fillon nga një qeli më e mirë, nga takimet e shumta familjare dhe vazhdojnë deri te lejet dhe futjen e sendeve apo transferimet.”, u shpreh ai.