Policia Shkodër:
Vijojnë kontrollet blic në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që shpërndajnë lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve është kapur dhe arrestuar në flagrancë një shtetas për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe është proceduar në gjëndje të lirë një tjetër për “Moskallëzim krimi”.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 27 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi P. P., 17 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, Shkodër.
Shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Bardhajve”, kanë konstatur mjetin tip “Renault”, me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, të cilët kanë tentuar të largohen, por janë kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe një aparat celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.