Kryeministri Edi Rama ka prezantuar inxhinieren Luljeta Bozo si kandidate të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilën e cilësoi se është duke kaluar rininë e tretë. Nga ana e saj Bozo thuri lavde për qeverinë e Ramës, duke thënë se ka bërë një punë shumë të mirë për rindërtimin, edhe pse sfida me të cilën u përballën qe e vështirë.
Pjesë nga prezantimi i Luljeta Bozos
Bozo: Ne inxhinierët flasim shkurt
Rama: Më kritikove me elegancë, nga ata që merren me politikë unë flas më gjatë
Bozo: Jo, jo unë them që ne inxhinierët flasim me pak fjalë. Sa i takon tërmetit qeveria e mori veten shpejt, nuk ngeli askush përjashta. Nëse nuk do të ishin shkelur rregullat e ndërtimit nuk do të kishim pasur ato dëme, më vjen mirë që rindërtimi po e merr parasysh këtë element. Më vjen mirë që për shtëpitë që janë rindërtuar, janë bërë të gjitha hapat për studimin e terrenit.
Kjo është një dhuratë që iu bëhet qytetarëve, nuk themi dot e rënë nga qielli, por nga qeveria. Pasi ne i kemi shembujt nga Italia, që qëndrojnë njerëzit ende në rrulota, edhe paguajnë për tokën që kanë zënë. Këtu jo vetëm që iu bë shtëpia, por iu bë dhe sipas standardeve. Njerëzit duhet ta dinë që në fillim procesi i Rindërtimit u bazua me paratë tonë. Europa ka shumë burokraci, fondet që u siguruan nuk vijnë menjëherë, sa lekë ke aq edhe do ndërtosh.
Njerëzit duhet të jenë mirënjohës, pasi jo të gjithë janë në gjendje të bëjnë këtë që bëri qeveria juaj. Duhet të kemi bashkim forcash në fshatra, se njerëzit i ka zënë frika nga koperativa, në këtë drejtim në zonat rurale kemi shumë punë për të bërë.
Rama: Shumë faleminderit, për drejtpërdrejtësinë që është karakteristike për rininë e tretë. Të falenderoj se preke disa aspekte që unë nuk i preka në fjalën time, pasi shumëkush mendon se ne i morëm paratë nga Brukseli me një thes, dhe tani na pyesin se ku janë.
Paratë e dhëna në Bruksel menaxhohen po nga ata. Projektet bëhen prej tyre, tenderat i bën BE, dhe zbatimi ndiqet prej tyre. Të gjithë pensionistët do të kenë përfaqësuesin e tyre aty, nuk kam menduar që do të arrinim që ta bindnim Luljetën. Do të kemi një stërgjyshe në ekipin tonë të ardhshëm.
Top Channel