Mario Sconcerti komentoi në “Corriere della Sera” humbjen e pësuar nga Interi ndaj Sassuolo dhe në përgjithësi ecurinë e garës në krye të renditjes: “Rënia e Interit ishte në ajër, ata që donin ta shihnin e kishin parë.

Interi është i lodhur nga shuma e angazhimeve të tij: Lazio, Atalanta, Venezia, Milan, Liverpool, Sassuolo.

Tri humbje, një barazim dhe dy fitore. Jo një udhëtim i shkëlqyer, por udhëtim për një ekip në vështirësi, që ka pak fuqi rezervë. Interi dukej të ishte një ekip i kompletuar, por në javët e fundit kjo gjë është përgënjeshtruar. Jemi në det të hapur, duhet të ndryshojmë referencën tonë çdo javë.

Askush nuk e mendonte se Milani do të fitonte një pikë, duke barazuar në Salerno, megjithatë ndodhi. Tundimi sot është të mendojmë për Napolin si më gjeometrikun e grupit, por gjithçka mbetet për t’u demonstruar. Sot e kemi kuptuar se nuk ka ekip më të mirë, që të bëjë diferencën në kreun e Serie A”.