Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se sot ka ftuar për intervistë deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, në lidhje me paraqitjen e saj publike në emisionin “Oxygen” të datës 12 shkurt 2022, e cila ka deklaruar se ka njohuri lidhur me një rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Gjatë intervistës, Prokuroria ka kërkuar nga deputetja Balje, të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në emision, për emrin e viktimës apo ndonjë informacion tjetër në mënyrë që prokuroria të kontaktojë me viktimën. Mirëpo, deputetja lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk e dinë emrin e viktimës dhe se nuk e ka as numrin e telefonit të saj, e as ndonjë informacion lidhur me kryesin e mundshëm të krimit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se, në një situatë të tillë, nga deputetja Balje nuk ka arritur të siguroj asnjë informacion i cili kishte paraqitur bazë për hapjen hetimit të rastit.
“Andaj, Prokuroria Speciale iu bën thirrje të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, që ta denoncojnë krimin në prokurorinë kompetente e cila garanton mbrojtjen e identitetit të tyre. Gjithashtu, i fton të gjithë qytetarët të cilët disponojnë me informacione relevante për rastet e tilla, ti raportojnë në prokurori e jo për këto raste fillimisht të diskutohet në emisione të ndryshme të karakterit argëtues”, thuhet në njoftim.