Ministria ruse e mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim për banorët e Kievit se po përgatitet të godasë objektivat në kryeqytetin ukrainas.
Në një deklaratë të lëshuar të martën pasdite, zyrtarët rusë thanë se forcat e tyre po përgatiten të nisin “sulme me precizion të lartë” kundër “qendrave teknologjike të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës dhe qendrës së 72-të kryesore PsyOps në Kiev”.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas të cilët po përdoren nga nacionalistët për të kryer provokime kundër Rusisë, si dhe banorët e Kievit që banojnë pranë stacioneve të transmetimit të largohen nga shtëpia e tyre”, shtohet në deklaratë. Zyrtarët pohuan se sulmet po kryhen për të “parandaluar sulmet e informacionit kundër Rusisë”.
Kryebashkiaku i Kievit thotë se “armiku është në periferi” të kryeqytetit ukrainas
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko paralajmëroi të martën në një video-mesazh se “armiku është në periferi të kryeqytetit”, duke shtuar se ushtria ukrainase “po përgatitet të mbrojë Kievin”.
“Forcat tona të armatosura, Forcat e Mbrojtjes Territoriale, po luftojnë heroikisht për tokën tonë”, tha Klitschko.
“Në hyrjet e qytetit janë ndërtuar fortifikime dhe postblloqe. U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë. Mos dilni jashtë pa nevojë dhe qëndroni në strehimore në rast alarmi”, shtoi ai.
Një kolonë masive ushtarake ruse 40 milje e gjatë – e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri të tërhequr dhe mjete të tjera logjistike – ka arritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, sipas imazheve satelitore nga Maxar Technologies.
Në një video-mesazh të mëparshëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit është “prioriteti kryesor i qeverisë”.
“Kiev është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Kjo është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, tha Zelensky.
Duke i bërë jehonë komenteve të presidentit, Klitschko tha se forcat ruse duan të “marrë zemrën e vendit tonë”.
“Ne do të luftojmë dhe nuk do të heqim dorë nga Kievi,” pohoi ai.