Bashkimi Evropian do të ndërmarrë hapa shtesë kundër Rusisë nëse situata në terren në Ukrainë përkeqësohet, tha të enjten presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Blloku po përgatitet gjithashtu në rast të hakmarrjes ruse, duke përfshirë diversifikimin e furnizimeve energjetike të bllokut, raportoi Reuters.
“Qëllimi ynë është të shkurtojmë kapacitetin e Kremlinit për të bërë luftë me fqinjët e tij”, tha Von Der Leyen pas një takimi me presidentin rumun Klaus Iohannis.
“Ne duhet të bëhemi të pavarur nga gazi, nafta dhe qymyri rus. Vendosmëria jonë për të ecur përpara në këtë rast është më e fortë se kurrë,” shtoi ajo.