Strategjia e re fiskale e qeverisë 2022-2026, synon të rrisë të ardhurat buxhetore me 132 miliardë lekë (1,1 mld euro), 60% e të cilave, ose 640 milionë euro do sigurohen duke rritur tarifat dhe taksat, duke hequr përjashtimet dhe pragjet e TVSH-së, akcizës, Tatimfitimit, rritja e taksës së pronës dhe pjesa tjetër nga lufta ndaj informalitetit. Parashikohen të rikthehen tatimet fikse dhe ato mbi xhiron në bizneset e vogla dhe të vendoset TVSH mbi banesat e reja. Të vetëpunësuarit do të paguajnë TAP. Të gjitha ndryshimet fiskale e parashikuara në katër vitet në vijim dhe që kanë dalë për konsultim me grupet e interesit
Në mes të një vale rritjeje çmimesh, që do të nxitet edhe më tej nga sulmet ruse në Ukrainë, qeveria shqiptare ka bërë gati një strategji që synon të rrisë barrën fiskale në horizontin afatmesëm për individët, bizneset dhe do të heqë të gjithë stimujt në formën e përjashtimeve tatimore të dhëna ndër vite për ekonominë.
Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) 2022-2026 ka marrë formë përfundimtare dhe është në proces konsultimi me biznesin. Reforma synon rritjen e të ardhurave të buxhetit me rreth 2.55% të PBB-së për një periudhë 5-vjeçare, 2022-2026, nga të cilat 1.31% do të gjenerohen nga ndryshimet në politikat tatimore dhe 1.24% e PBB-së nga përmirësimi i elementeve të administrimit tatimor dhe doganor.
Të ardhurat e synuara do të duhet të përballojnë shpenzime buxhetore në nivelin 32% të PBB-së.
Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 është hartuar mbi bazën e rekomandimeve nga FMN dhe do të konsultohet me grupet e biznesit.
Të ardhurat shtesë të synuara nga ndryshimet tatimore janë përllogaritur nga Ministria e Financave në nivelin e rreth 132 miliardë lekë (1,1 mld euro), nga të cilat 78 miliardë lekë (640 milionë euro) do të jenë nga ndryshimi i tarifave dhe heqja e pragjeve dhe 54 miliardë lekë, nga lufta ndaj informalitetit. Gjatë periudhës 2023-2026, të ardhurat shtesë do të merren nga katër drejtime;
1-Të ardhura shtesë nga Tatimet indirekte (tatimet mbi konsumin). Këto të ardhura do të sigurohen kryesisht nga heqja e përjashtimeve nga TVSH të kategorive të caktuara të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, që sipas Ministrisë së Financave kanë përfunduar misionin e tyre për të cilin ishin dizajnuar.