Nis ditën e nesërme raundi i ri i negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.
Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia do të takohen ditën e nesërme në Turqi, ka bërë me dije David Arakhamia, negociatori ukrainas i cili tha se bisedimet “kokë më kokë” do të vijojnë deri ditën e mërkurë.
Kushtet e panegociueshme të Rusisë duket se kanë qenë pengesë që negociatat mes dy vendeve të kenë sukses. Edhe përpjekjet për krijimin e korridoreve humanitare kanë dështuar disa herë.
Por së fundmi, duket se Rusia ka një tjetër përqasje ndaj luftës në Ukrainë. Mediat në perëndim raportojnë se në disa rajone të Ukrainës është vënë re tërheqja e trupave ruse. Një gjeneral rus tha dy ditë më parë se pushtimi i Ukrainës ka hyrë në një fazë të re dhe trupat ruse tashmë do të përqëndrohen në rajonet separatiste të Luhanskut dhe Donetskut.
Njohja e pavarësisë së këtyre rajoneve është një nga kushtet e Rusisë, së bashku me njohjen e Krimesë si pjesë e Rusisë dhe deklarimin e neutralitetit të Ukrainës, duke mos iu bashkuar aleancës së NATO-s.