Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kurbinit pasi brenda banesës së tij kishte përshtatur një dhomë për kultivimin e lëndëve narkotike.
Uniformat blu bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Heat” është arrestuar shtetasi L.N, pasi  në banesën e tij në fshatin Shpërdhet është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në ambientet e brendshme të banesës, u evidentua një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.    

Njoftimi i plotë i Policisë:
Kurbin
Finalizohet operacioni policor i koduar “Heat”, gjatë të cilit u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e  bimëve narkotike, me anë të llambave.  
Operacioni, nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe punonjësit e OSHEE-së.
Vihet në pranga pronari i banesës. 
Sekuestrohen pajisje elektrike që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë dhe të OSHEE-së, është konstatuar se pronari i banesës kishte kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe me punonjësit e OSHEE-së, në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si dhe për evidentimin e rasteve të abuzimit me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, bazuar në informacionet policore, kanë ushtruar kontroll në një banesë në fshatin Shpërdhet, Njësia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin.   

Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit L. N. është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në ambientet e brendshme të banesës, u evidentua një dhomë, brenda së cilës kishte instalime elektrike me llamba, aspiratorë dhe tubacione uji, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.    
Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. N., 47 vjeç, banues në fshatin Shpërdhet.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. 
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.