Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur qëndrimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha për riorganizimin brenda selisë blu.
Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi shkruan se Komisioni i Rithemelimit po vijon një proces të njëanshëm përjashtues me emërime në kundërshtim me statutin në çdo nivel lokal.
Sipas tij, kjo i shërben vetëm kryeministrit Edi Rama dhe regjimit të tij. Më tej, Bardhi shkruan se këto ndryshime kanë qëllim të marrin peng Partinë Demokratike.
Postimi i Gazment Bardhit:
Vijimi me kokëfortësi në rrugën e njëanshmërisë, të përjashtimit dhe mbylljes së partisë, nuk është rruga drejt bashkimit, por është rrugë me vetëm një drejtim: përçarjen. Kjo rrugë i shërben vetëm Edi Ramës dhe forcimit të regjimit të tij.
Në vend të reflektimit një grup individësh të vetëzgjedhur, dhe të vetëshpallur si drejtues të partisë, nën emrin Komisarë të Komisionit të Rithemelimit, janë duke vijuar një proces të njëanshëm dhe përjashtues, të gjoja organizimit të partisë, me emërime në kundërshtim me Statutin në çdo nivel lokal të partisë. Nga ky proces mbeten të përjashtuar me mijëra demokratë që kanë sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër këto 8 vite, thjesht se kanë një mendim ndryshe nga komisarët.