Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ishte një nga ministret e kabinetit qeveritar “Rama” që mbajti sot fjalën në nisje të Kongresit të PS-së.

Gjatë fjalës së saj në forumin “Rajoni, Europa dhe Siguria”, Xhaçka u ndal te çështja e Kosovës, ndërsa theksoi se sa i takon mosliberalizimit të vizave, po i bëhet padrejtësi

“BE të mbajë fjalën për integrimin”, Xhaçka: Kosova për Shqipërinë është e shenjtë, po i bëhet padrejtësi me vizat

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ishte një nga ministret e kabinetit qeveritar “Rama” që mbajti sot fjalën në nisje të Kongresit të PS-së.

Gjatë fjalës së saj në forumin “Rajoni, Europa dhe Siguria”, Xhaçka u ndal te çështja e Kosovës, ndërsa theksoi se sa i takon mosliberalizimit të vizave, po i bëhet padrejtësi.

FJALA E XHACKES
Është një nder që të mirëpresim sot në këtë sesion për Europën, Integrimin dhe Rajonin në Kongresin e Partisë Socialiste, përfaqësues të lartë nga forcat kryesore politike të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Preshevë. Por përtej të qenit një nder, kjo është mbi të gjitha një mundësi shumë e mirë për të dialoguar së bashku lidhur me momentin historik që po kalojnë shqiptarët sot, për të ardhmen ku duam të shkojmë dhe sidomos për rrugën që duam të ndjekim të gjithë bashkë për të arritur tek ajo e ardhme. Them sidomos për rrugën që duhet të ndjekim duke qenë që është kjo pjesa ku ne duhet të diskutojmë e dialogojmë sepse për sa i përket vizionit për të ardhmen që dëshirojnë, shqiptarët kanë qenë, janë e mbeten të bashkuar. Ne duam një të ardhme të orientuar nga bashkëpunimi e shkëmbimet vëllazërore pa kufij e pa pengesa mes nesh, nga paqja, stabiliteti, bashkëpunimi në rajon dhe padyshim integrimi euro-atlantik.
Një shekull e më shumë më parë, një nga patriotët më të mirë e një nga mendjet më të mprehta që ka prodhuar ndonjëherë kombi ynë, Faik Konica, shkruante në revistën Albania: “Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.”
Është një besim që udhëheq të gjithë filozofinë e Partisë Socialiste dhe qeverisë shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, që konkluzioni më i rëndësishëm që kanë arritur shqiptarët në historinë e tyre, është se vetëm të bashkuar, vetëm duke punuar së bashku, munden ata të ndërtojnë atë të ardhme që na e kanë lënë amanet të parët tanë, që ua kemi borxh atyre që kanë sakrifikuar deri edhe jetën për këtë komb, por që e kemi një detyrim edhe ndaj atyre që do të vinë pas nesh. Historia e ka treguar që fatet tona janë të pandashme. Siguria jonë është e pandashme. Stabilitetit ynë është i pandashëm. Prosperiteti ynë është i pandashëm.
Në vitin 2013, Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës u bë forca e parë politike që prezantoi përpara shqiptarëve një program të artikuluar qartë për politikën e jashtme.
Në thelb të tij qëndronin tri fjalët që formojnë dhe titullin e këtij paneli: Europa, integrimi, rajoni.
Viti 2013 i dha udhë një procesi të mirëfilltë transformimi të politikës së jashtme së Shqipërisë. Sigurisht pa prekur objektivat madhore të politikës së jashtme të Shqipërisë: integrimi Euro-Atlantik, mbështetja për shqiptarët kudo në rajon dhe konsolidimi i rolit të shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe garant të orientimit Euro-Atlantik të rajonit.
Ajo që ndryshoi ishte qasja ndaj këtyre objektivave strategjikë, e cila u bë më pro-aktive, më e qartë, me më shumë vetëbesim e guxim e mbi të gjitha parimore dhe e besueshme. Ishte një qasje në themel të së cilës qëndronte filozofia se vetë shqiptarët duhet të bëjnë më shumë për të çuar përpara avancimin e këtyre proceseve.
Është dashur shumë punë dhe durim sepse politika e jashtme është një makineri që lëviz ngadalë. Është dashur shumë punë për të përmirësuar e për të bërë më efikase strukturat e burimet njerëzore, për të ndërtuar nga e para marrëdhënie diplomatike me vende e organizata me të cilat më parë s’na lidhte asgjë apo për të ridimensionuar e çuar në një stad tjetër marrëdhëniet me vende mike e partnere. E po aq punë, në mos më shumë është dashur për të filluar procesin gradual të transformimit të imazhit të shqiptarëve e Shqipërisë në sytë e botës.
Sot është e pakundërshtueshme që kjo filozofi i ka dhënë frytet e saj dhe diplomacia shqiptare është duke përjetuar një periudhë të paprecedentë suksesesh e arritjesh.
Vetëm pak kohë pasi drejtoi me sukses Presidencën e OSBE, Shqipëria ulet sot në Këshillin e Sigurimit. Ne jemi sot, bashkë me Shtetet e Bashkuara e me ftesë të tyre bashkë-penëmbajtës të dosjes së Ukrainës, kapacitet në të cilin kemi luajtur një rol të rëndësishëm qoftë përmes kalimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme që i bënte thirrje Rusisë të ndalonte luftën, qoftë në vendimin për të përjashtuar Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, qoftë në themelimin e Grupit të Miqve për Llogaridhënie në Ukrainë i cili po punon për evidentimin e krimeve të luftës të kryera nga Rusia gjatë agresionit të saj kriminal kundër Ukrainës.
Performanca në Këshillin e Sigurimit, edhe pse padyshim pjesa më e rëndësishme, nuk është një histori e veçuar. Shqipëria është duke kontribuar me ide e qëndrime konkrete e parimore në çdo organizatë ku bën pjesë.
Procesi i integrimit ka avancuar shumë duke arritur madje në një përmbysje të skemës, ku sot nuk bëhet më fjalë nëse Shqipëria – e padyshim edhe Maqedonia e Veriut – e meriton hapjen e negociatave, por nëse BE do të arrijë të mbajë fjalën e dhënë Shqipërisë duke hapur negociatat. Krahas reformave të thella të integrimit në çdo fushë, në politikën e jashtme, linjëzimi 100% me BE, puna aktive për të çuar përpara interest e përbashkëta dhe agjendat e përbashkëta me BE, që nga agjenda Gratë Paqja e Siguria e deri tek çështjet e radikalizmit të dhunshëm dhe e drejta ndërkombëtare, sot kanë bërë që edhe ato vende që dikur ishin më skeptiket për Shqipërinë të zgjerojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me ne.
Për fushën e sigurisë do të flasë më gjerë e më shkoqur Ministri i Mbrojtjes, por edhe në atë fushë, Shqipëria shihet tashmë si një aktor serioz, që jo vetëm i përmbush detyrimet e saj ndaj NATO e rajonit, por shkon madje përtej asaj që pritet nga Shqipëria duke kontribuar përtej çka i takon. Nëse kur Shqipëria u anëtarësua në NATO kishte nga ata që e kundërshtonin këtë me argumentin se Shqipëria nuk ishte gati, sot, performanca jonë në NATO është kthyer në një argument më shumë kundër opinioneve se Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat.
Për sa i përket marrëdhënieve bilaterale, arritjet janë po aq të rëndësishme. Marrëdhëniet me partnerët strategjikë tradicionalë, Italia, Turqia, Gjermania, janë sot më të forta se kurrë. Marrëdhënia me Greqinë është duke ecur në drejtimin e duhur përmes adresimit të çështjeve që na ndajnë. Janë forcuar shumë marrëdhëniet me vende me të cilat dikur kishim fjalë shumë e punë pak, siç janë vendet e Gjirit Persik e Lindjes së Mesme.
Ne jemi krenarë që partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, si aleati ynë më i rëndësishëm me të cilin na lidh një marrëdhënie krejt e veçantë, është sot më i fortë se kurrë dhe më efikas se kurrë. Shqipëria shihet si partneri më i rëndësishëm e më i besueshëm i Shteteve të Bashkuara në rajon dhe jemi duke punuar së bashku për të investuar në çdo aspekt të marrëdhënieve dypalëshe, që nga siguria e mbrojtja, ekonomia e biznesi, arti, kultura e arsimi, e padyshim në arenën ndërkombëtare.
E lashë rajonin për në fund, pikërisht pse është dimensioni më i rëndësishëm, më jetik e më strategjik për ne. Është arsyeja thelbësore përse jemi mbledhur sot këtu. E padyshim, s’kemi pse mos ta themi hapur, është ai dimension ku diferencat mes nesh për sa i përket rrugës që duhet të ndjekim drejt të ardhmes janë më të dukshme e kanë më shumë nevojë dialog.