Pensionistët, studentët dhe punonjësit e sektorit publik e privat në Kosovë, do të marrin 100 euro ndihmë ekonomike në muajin prill. Vendimi, i cili u njoftua nga kryeministri Albin Kurti ditën e martë, është pjesë e masave të qeverisë për të ndihmuar qytetarët të përballojnë rritjen e çmimeve, si pasojë e krizës ekonomike. Për zbatimin e masave, qeveria do të vërë në dispozicion 100 milionë euro.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë. Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publikë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti paralajmëroi gjithashtu miratimin e projektligjit që do t’i hapë rrugën rritjes së pagës minimale. Sipas tij, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto dhe do të lirohet nga tatimi. Nga rritja pritet të përfitojnë 100 mijë punonjës.
“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagën neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”, tha ministri i Punës dhe Financave, Hekuran Murati.