Egnatia News ka siguruar foton e viktimës, Merushe Hazizi, 30-vjeçarja që u vra këtë të martë nga babai i bashkëjetuesit të saj në Roskovec.
Xhevahir Hoxha vrau me thikë bashkëjetuesen e djalit të tij, Merushe Hazizi e më pas u vetëvar.
Mësohet se Xhevahir Hoxha jetonte me bashkëshorten e tij në fshat, deri një javë më parë, kur në banesë ishte kthyer edhe djali i tij me bashkëjetuesen, Merushe Hazizin.
Djali i autorit, ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij tre vite më parë, me të cilën kishte edhe një fëmijë, pikërisht për shkak të Merushes.
Lidhja intime e tyre çoi në prishjen e një familje por bëri edhe që Xhevahir Hoxha, t’i betohej djalit të tij që nëse merrte për nuse Merushen, ai do i vriste.
Ky konflikt bëri që tre vite më parë çifti i ri të largohej nga fshati dhe të jetonin në një shtëpi me qira në Fier.
Por vetëm një javë më parë, ata janë rikthyer në banesën e Xhevahirit për të rinisur bashkëjetesën.
Aty kanë nisur sërish sherret dhe konfliktet që çuan në krimin e rëndë që ndodhi paraditen e të martës, 12 prill.