Nga Dritan Hila

Si çdo prag zgjedhjesh, qofshin këto lokale, kuvendore apo presidenciale, si këto të radhës, nuk mungon falli politik.

Fillon nga gazetarët që kanë rastin të provojnë zarin; të harruarit që ju kërkojnë gazetarëve t’i hedhin në treg se mbase kujtohet njëshi për ta, dhe mitomanët që i shkelin syrin pasqyrës.

Por këto presidenciale nuk do të kenë asnjë surprizë. Presidenti është vetëm ai që ka në mendje Edi Rama, i cili nuk ka kohë dhe nerva për një njeri që t’i bëjë shaka gjatë qeverisjes. Jo se presidenti ka gjë në dorë. Maksimumi të japi shfaqje si Meta. Por tashmë Rama as për këtë nuk ka nerva. As edhe vendi nuk ka nerva për shfaqje karagjozësh. Ndaj do të jetë një njeri i urtë, pa dëshira karriere dhe pa ambicie politike. Madje duhet të jetë edhe pa dëshirë për shfaqje mediatike.

Ndërkohë PD, pasi ka gjashtë muaj që leqendiset gjysma me gjysmë, pretendon të ketë kapitullin e saj në zgjedhjen e presidentit.

Për hir të së vërtetës, nuk e meriton. Ajo nuk ka respektuar asnjë marrëveshje xhentëlmenësh që parashikonte zgjedhjen nga opozita të presidentit apo kryetarit të kontrollit të shtetit. Sa herë ka pasur votat e ka zgjedhur vetë dhe ka shkelur me këmbë socialistët. Madje edhe kur nuk i ka pasur, i ka blerë votat.

Për më tepër, në kushtet kur askush s’e di se cili është përfaqësuesi zyrtar i kësaj force, thjesht nuk ke me kë të bisedosh. Saliu ka një vendim gjysmak gjykate, ndërsa Alibeaj ka selinë. Një parti e cila nuk është në gjendej të zgjedhë kryetarin e saj, e cila jep shfaqje që as këshilli bashkiak i Fierit dikur nuk i ka dhënë, nuk mund ti lihet në dorë as propozimi se cili do të jetë president. Pasi eksperienca ka treguar që e shumta, nga tridhjetë vite demokraci, kanë mësuar të sulmojnë godinat e institucioneve, përfshirë të tyre./dritare.net