Qeveria ka njoftuar se mund të ndërmarrë një amnisti fiskale. E thënë ndryshe, të legalizohen të ardhura e qytetarëve, pavarësisht burimit të tyre, kundrejt pagesës së një tarife. Sipas kryeministrit Rama, ky ka qenë vendimi i qytetarëve që i janë përgjigjur pyetësorit të Këshillimit Kombëtar. Ndjekim dhe një herë se çfarë ka thënë kryeministri për amnistinë fiskale.
Por amnistia e nisur nga Rama nuk është e para që ndërmerret në Shqipëri. Që pas viteve ’90, ka pasur disa nisma të tilla, që më shumë i kanë ngjarë një falje fiskale sesa amnistie të plotë, e cila teorikisht duhet të ndërmerret një herë në disa dekada dhe jo nga çdo qeveri që vjen në pushtet.
Kush përfiton nga ky proces dhe a ka risqe të tjera amnistia? “Ka disa kosto, pasi ti bën një amnisti, por ke shumë qytetarë apo biznese që kanë qenë të ndershëm. Duke bërë amnisti, instrukton popullin që edhe në të ardhmen do të ketë falje të tilla”, tha në A2 Business eksperti për ekonominë, Klodian Muço. “Gjithashtu është relativisht e vështirë që qytetarët që jetojnë jashtë të kenë para të padeklaruara. Si do t’i dërgojnë këto para, për shembull, nga Italia në Shqipëri? Ka një ligj që vendos limite në sasitë e parave që mund të fusësh. Aministia e fundit fiskale e bërë në Itali, pati me 0,007% të GDP”.
Sipas ish-ministres së Financave, Anila Denaj, nevoja do ta justifikonte këtë situatë. “Por nëse flasim që çdo 10 vite do të bëjmë amnisti, atëherë do të dëmtonim. Por nuk kemi bërë kurrë amnisti, vetëm falje gjobash. Por amnistia fiskale, nëse nuk shoqërohet me amnisti penale, nuk do të ketë rezultat. Por nuk do të amnistohen paratë nga korrupsioni, vetëm ato nga evazioni”, tha Denaj.
Deklarata e deputetes socialiste u kundërshtua nga Adrian Civici. “Amnistisë fiskale duhet t’i vëmë emrin e vërtetë. Amnistia bëhet për paratë informale, të fshehura, qoftë nëpër sirtarë, apo banka, të padeklaruara. Nëse ne do ta bëjmë, duhet ta bëjmë sa më të gjerë. Natyrisht ka edhe elementin etik brenda, por mendoj që duhet të jetë sa më e plotë. Por duhet të ketë dy anë, nëse nuk përsostet sistemi fiskal, në mënyrë që këto të mos përsëriten, atëherë efekti nuk do të ketë ato rezultate që presim”, tha ai.
Eksperti Fatos Çoçoli tha se me faljen e parave që emigrantët kanë fituar jashtë, atyre u del një tjetër problem. “Në momentin që ai del zbuluar, atij do t’i shkojë taksidari grek, apo italian, në vendin ku ndodhet. Do t’i vendosin gjoba. Pra duhet bërë një marrëveshje, duhet bërë shumë kujdes”.