Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako do të merret në pyetje sot nga SPAK. Gazetarja e Panorama, raporton se Bllako pritet te pyetet rreth ores 13:00. Aktualisht ai ndodhet pas hekurave për abuzim me inceneratorin e Fierit.

GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg. Ndaj Bllakos rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Bllako bëhet zyrtari i dytë që arrestohet lidhur me këtë aferë, pasi kujtojmë se më herët, në prangat e policisë ka rënë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Ndërkohë, për Kokën SPAK ka caktuar orarin që ditën e nesërme ai të paraqitet në ambientet e SPAK për të dëshmuar për dijeninë e tij si i pandehur për akuzat e ngritura për lidhjet me inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.

Kjo është hera e parë që Lefter Koka do të merret në pyetje që pas arrestimit të tij, kjo edhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.