Fatos Alimadhi, një përmbarues privat nga Tirana, është arrestuar sot nga specialistët e “Krimit Ekonomik” dhe akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Newsbomb.al mëson detaje të reja nga arrestimi i 54 vjeçarit. Ai është vëllai i ish-deputetit Adriatik Alimadhi.
Mësohet se Fatos Alimadhi u ka bllokuar llogaritë bankare familjarëve të një personi që kishte ndërruar jetë, madje pa i lajmëruar ata. Burimet bëjnë me dije se i ndjeri kishte marrë kredi për llogari të biznesit të vetë privat por pas disa kohësh ka vdekur.
Në këto kushte, detyrimet dhe kredinë e tij duhet t’a shlyente siguracioni i jetës. Mirëpo, kjo nuk është marrë parasysh nga përmbaruesi privat, i cili ka firmosur shkresa dhe vendime për sekuestro për bllokimin e llogarive rrjedhëse të biznesit privat dhe familjarëve të shtetasit të ndjerë.
Policia e Tiranës, në njoftim zyrtar bën me dije se veç vëllait të ish-deputetit Adriatik Alimadhi, Fatos Alimadhi, i cili është arrestuar, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit S. D., dhe P. Q., me detyrë përmbarues privat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.