Në kulmin e sezonit turistik, Vlora dhe një pjesë e vendit do të furnizohet me energji nga dy anije që do të stacionohen në Triport.
“TEC-et lundruese”, një zgjedhje e detyruar e qeverisë për shkak të krizës do të prodhojnë deri në 114 MW/H energji elektrike, thënë ndryshe sa rreth 15 për qind e nevojave që vendi ka.
Kostoja mesatare për çdo megavat do të jetë rreth 150 euro, sa gjysma e çmimit me të cilin Shqipëria po blen aktualisht energji nga importi.
Për ekspertë të fushës, ky model jo vetëm që nuk është i duhuri, por mund të sjellë edhe pasoja.
“Modeli i zgjidhur është tipikisht model në periudhë krize, me problematika të shumta në aspektin mjedisor dhe ekonomik, dhe më së shumti jo i qëndrueshëm”, thotë eksperti mjedisor Mihallaq Qirjo.
Pasojat e tjera përfshijnë mjedisin dhe sezonin turistik veror.
“Është një zonë që në verë ka një shumëfishim të turistëve, dhe studimi për ndikimin mjedisor për vepra industriale të tilla duhet të bëhet me një kujdes të shtuar”, vëren eksperti.
Sipas qeverisë, prodhimi i energjisë nga anijet lundruese do t’i paraprijë vënies në funksion të TEC-it të Vlorës.