Me kërkesë të prokurorisë së Tiranës, gjykata ka liruar nga qelia Fatos Alimadhin. Përmbaruesi Alimadhi u arrestua dy ditë më parë pas kallëzimit të një qytetareje për bllokim të llogarisë bankare padrejtësish.
Gjykata kërkoi që prokuroria të hetojë rreth skemës së përmbaruesit si dhe të verifikohet kallëzimi i qytetares në fjalë. Sipas dosjes, kredia është marrë në një bankë të nivelit të dytë dhe më pas është shitur tek një tjetër institucion financiar mikro-kredie.
Rezulton se kredimarrësi ka ndërruar jetë 10 vite më parë dhe kredia e marrë duhej shlyer me siguracionin e jetës. Në ambientet e gjykatës ishte i pranishëm edhe vëllai i të arrestuarit, ish-deputeti Adriatik Alimadhi.
Por kush është Fatos Alimadhi?
54-vjeçar është një emër i njohur për policinë. Ai në vitin 2018 u vu në prangat e policisë po për shpërdorim detyre. Alimadhi në 2018 akuzohet se duke shpërdoruar detyrën ka përfituar nëpërmjet vjedhjes shumën prej 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti. Duke e shitur disa herë më lirë nga sa e parashikonte ligji. Përmbaruesi Alimadhi në atë kohë iu shmangur hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore, në lidhje me shitjen e një apartamenti, ku në ankandin e dytë, në baze të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që para shikon ligji, duke bërë që përmbaruesi të përfitonte shumën prej 32.255 euro.
Edhe në 2015 Fatos Alimadhin ka qenë në gjykim për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa shtetasve, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.