Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur gjykimin për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Ai pak ditë më parë ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa sot ka nisur gjyqi në GJKKO. Të njëjtën formë gjykimi kërkojnë edhe 18 nga 20 të bashkëpandehurit e tij, ish-zyrtarë të bashkisë.
Mësohet se GJKKO ka pranuar gjykim të shkurtuar për Tushen dhe zyrtarët e tjerë, ndërsa bëhet me dije se seanca e radhës do të mbahet më datë 6 maj ora 10:00.
Ata akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “abuzim me tenderat” dhe prej më shumë se 5 muajsh janë prapa hekurave.
Sipas SPAK, Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.
Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, ndërkohë që përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer biznesmeni Ibrahim Lami i “Loti SHPK”, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.