Një efektiv policie është arrestuar nga Angjensia e Mbikëqyrjes Policore, pasi ndaj tij ka patur disa denoncime se terrorizonte banorët duke qëlluar herë pas here me armë.

Agjensia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga efektivin Taulant Balla, punonjës i Komisariatit numër 1 në Tiranë.

Në momentin e arrestimit, Ballës i janë gjetur në banesë dy armë automatike si dhe municion.

Efektivi iu vu në pranga pas një hetimi disa mujor, pas sinjalizimeve se ai herë pas here qëllonte në ajër në lagjen ku banonte duke krijuar panik tek qytetarët e tjerë, por edhe duke iu rrezikuar jetën.

Njoftimi:

Hetimi/Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë ndaloi punonjësin e Policisë, pasi i gjeti 2 armë zjarri pa leje në banesë

Në vijim të hetimeve të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve” si edhe “Prishja e qetësisë publike”, në ngarkim të 47-vjeçarit T.B., punonjës policie me detyrë Patrullë e Përgjithshme, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, u krye ekzekutimi i vendimit të Gjykatës për kontrollin e banesës së tij.

Nga kontrolli u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri automatike dhe një sasi fishekësh.

Efektivi dyshohet se qëllonte me armët e zjarrit në ajër, në kohë të ndryshme. Për të provuar këto dyshime, AMP zhvilloi disa javë hetime.

Nën drejtimin e Prokurorisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë, për dy vepra penale.

AMP shpreh vendosmërinë për të luftuar pa kompromis e goditur paligjishmërinë, në përpjekjen e pandalshme për të ndërtuar një trupë policore profesionale e me integritet të lartë.