Të pazakontë e cilëson BBC faktin që Presidenti Zelensky njoftoi vizitën e profilit të lartë të zyrtarëve amerikanë, Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin, njoftim që e dha gjatë një konference për shtyp mbrëmjen e së shtunës.

Normalisht, shkruan BBC, për ngjarje të tilla informacionet dalin vetëm pas ngjarjes, kur zyrtari i profilit të lartë është larguar nga vendi dhe fotot janë publikuar në mbarë botën. Në rastin konkret duhet patur parasysh se kudo në Ukrainë, momentalisht ekziston ende një rrezik sigurie.

Vetë Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë asnjë koment të mëtejshëm, edhe pse është kërkuar për më shumë detaje.

Udhëheqësi ukrainas tha se në krye të axhendës do të jetë kërkesa e tij për më shumë armë. Ai u shpreh se ukrainasit kanë nevojë për më shumë armë dhe sisteme mbrojtëse më të sofistikuara dhe të përditësuara për t’u vendosur në jug dhe lindje, ku janë vijat e reja të frontit dhe ku luftimet janë më të ashpra.