Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Matilda Shalla.
Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Shalla u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja me relatore Panela Qirko dhe anëtar Roland Ilia.
Gjatë seancës dëgjimore më 26 prill, Komisioni konstatoi balanca negative në vlera të mëdha në transaksionet e gjyqtares Shalla dhe ish-bashkëshortit të saj për blerjen e disa apartamenteve, për të cilat ajo këmbënguli se bëhej fjalë për të njëjtën banesë. Shalla dha shpjegime edhe për situatën e pasurisë pas zgjidhjes së martesës.
Matilda Shalla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2009, Shalla e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Fier.
Hetimi administrativ për gjyqtaren Matilda Shalla përfundoi vetëm në kriterin e pasurisë.