As ngritja e SPAK-ut nuk e ka ndryshuar raportin e Shqipërisë me kulturën e pandëshkueshmërisë në nivele të larta, shembja e të cilës është edhe një kryekushti për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Vetëm Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, gjatë periudhës 2014-2021ka kallëzuar penalisht 518 zyrtarë të niveleve të ndryshme për fshehje pasurie, pastrim parash, mashtrim me pasurinë e etj. Kallëzimet janë bërë kryesisht në Prokurorinë e Tiranës, Prokurorinë e Përgjithshme, në prokuroritë e rretheve, dy vitet e fundit në SPAK, në strukturat e hetimit tatimor, në Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe në Policisë së Shtetit.

Të dhënat reflektohen në raportin e veprimtarisë së ILDKPKI për vitin 2021, raport i cili do të shqyrtohet nga Kuvendi, anëtarët e të cilit janë vetë subjekte të këtij institucioni kaq të rëndësishëm kundër korrupsionit. ILDKP jep numrin e zyrtarëve të kallëzuar, por jo një bilanc se çfarë ka ndodhur me dosjet. Në fakt pothuajse të gjitha dosjet e janë mbyllur në heshtje nga prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm dhe Prokuroria e Përgjithshme, me përfundimin e njëjtë: mungesës së konstatimit të elementeve penale.

Mbyllja e dosjeve në heshtje është edhe arsyeja se pse 90 % të emrave zyrtarëve të kallëzuar për fshehje pasurie dhe pastrim parash, mbahen sekret. Si ILDKP, ashtu edhe organi i akuzës, nuk kanë pranuar të japin emrat e zyrtarëve të kallëzuar, me pretendimin se të dhënat përbëjnë sekret hetimor, ndonëse shumica e dosjeve janë mbyllur prej vitesh. Gjithsesi, Report Tv mëson se bëhet fjalë për ish ministra, deputetë, kryetar bashkish, drejtorë të rëndësishëm, prokurorë, gjyqtarë, ambasadorë etj.

Kur ILDKP drejtohej nga Adriatik Llalla, i cili si për ironi është dënuar vetë për fshehje pasurie, akuzonte kryeprokuroren Ina Rama për mbylljen e dosjeve të pasurive. Kur Adriatik Llalla u emëruar kryeprokuror në vend të Ina Ramës, vijoi e njëjta praktikë, për të cilën Llalla ishte ankuar kur drejtonte ILDKP. Praktika nuk ndryshoi as pas ardhjes së Arta Markut, pasimit të saj nga Olsian Çelajt dhe ngritjes së SPAK. Goditja pasurive dukshëm të pajustifikuara të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë në Shqipëri vijon të mbetet tabu.

Gjatë vitit 2021, SPAK ka regjistruar 14 procedime penale për fshehje dhe refuzim të deklarimit të pasurisë, ku 1 çështje e ka transferuar, 3 i ka pushuar dhe për 10 raste vijojnë hetimet. Ndërsa, prokuroritë e përgjithshme kanë regjistruar vetëm një procedim penal të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet ka një tendencë në ulje të kësaj vepra penale. Dhe më ulët nuk ka ku të shkojë më! 1 procedim gjatë një viti./shqiptarja.com