Refugjatët nga Mariupoli i janë nënshtruar marrjeve në pyetje nga trupat ruse para se të liroheshin përfundimisht nga fabrika e çelikut ku ishin fshehur prej dy muajsh.
Të mbijetuarit të rraskapitur thanë për median britanike Dailymail se ata i quanin ‘llum ukrainas’.
Ata iu kontrolluan të brendshmet dhe i detyruan të jepnin gjurmët e gishtërinjëve në një pikë kontrolli rus para se të lejoheshin të hypnin në autobusët e Kryqit të Kuq.
Dhjetra refugjatë që mbërritën dje në një qendër ndihme të OKB-së në qytetin jugor të Zaporizhzhias rrëfyen tmerret e kohës kur ishin të fshehur në bunkierët e fabrikës së çelikut në Azovstal.
Një e mbijetuar Elina Vasilivna 54 vjeç tha për Dailymail:
” Ata na morën gjurmët e gishtërinjëve, na bënë foto. Milicia kishte bërë një pyetësor ku na pyeste se çfarë mendojmë për luftën, për qeverinë tonë. Na quanin llum ukrainas. Na morën telefonat dhe na bënë një ekzaminim personal të të brendshmeve. U inspektuan të gjitha gjërat tona personale. Këtë tmerr që ne kemi kaluar nuk do t’ia uroja kurrë as armikut tim.’
Zonja Vasilivna tha se ajo u fsheh në një bunker me anëtarët e familjes, përfshirë dhe nënën e saj 82-vjeçare.
Ndërsa një grua 47-vjeçar, por që nuk pranoi të jepte emrin e saj, tha:
“Nuk kishim ujë, drita dhe gaz. Bombardimet ishin të vazhdueshme. Ne ishim në bodrum për një muaj dhe gjithçka dridhej. Toka dridhej vazhdimisht.
“Unë kam ende një djalë atje brenda në Azovstal. Vëllai im vdiq. Tani për mua kanë filluar torturat. Ne jemi vetëm duke pritur, të shqetësuar për civilët, për fëmijët e mbetur pas. I gjithë tmerri që po kalojnë është shumë i frikshëm.’
Anna Zaitseva, e cila mbërriti në Zaporizhzhia me djalin e saj gjashtëmuajsh Svyatoslav, është shprehur:
“Kishte një moment që humbëm shpresën, menduam se të gjithë na kishin harruar. Ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë ata që na ndihmuan.’
Megjithatë frika është në rritje për ata që mbetën të bllokuar në fabrikën e çelikut.
Burime ukrainase thanë se sulmet e reja ruse kishin vrarë dy gra në atë vend.
Moska e justifikoi sulmin e saj duke akuzuar Kievin për keqpërdorim të armëpushimit të fundjavës për të lejuar qindra trupa ukrainase të përforcojnë pozicionet e tyre mbrojtëse në vend.
Pascal Hundt, i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, shprehu gjithashtu shqetësimin e tij, duke thënë: “Ne do të kishim shpresuar që shumë njerëz të tjerë do të ishin në gjendje të bashkoheshin me kolonën dhe të dilnin nga ferri”.