9 Maji shënon një ditë shumë të rëndësishme për të gjithë botën, por veçanërisht për Rusinë, që feston Ditën e Fitores kundër pushtuesve nazistë. Çdo vit në Sheshin e Kuq të Moskës por edhe në çdo qytet tjetër zhvillohen parada të ushtrisë ruse, për të shpalosur fuqinë ushtarake të vendit.
Por 9 Maji i sotëm pritet me shumë interes jo vetëm nga rusët, por edhe nga pjesa tjetër e botës, sidomos nga Ukraina. Ekspertët thonë se Vladimir Putin pritet që sot të marrë një vendim shumë të rëndësishëm në lidhje me Ukrainën. Sipas tyre, ka pak mundësi që Rusia t’i shpallë luftë Ukrainës, pasi deri më tani ka deklaruar se thjesht po zhvillon “operacion special ushtarak”. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë forcat ruse do të hynin në të gjithë territorin ukrainas, përfshirë edhe qytetet perëndimore, të cilat janë goditur më pak deri më tani.
Mundësia tjetër është që Putin të shpallë fitoren në rajonin e Donbasit dhe ta marrë atë njësoj siç bëri me Krimenë në vitin 2014, duke i hequr Ukrainës edhe një tjetër pjesë të territorit të saj. Kjo do të sillte edhe fundin e luftës në qytetet e tjera ukrainase, por vështirë se Presidenti Zelensky do të pranonte që të lëshonte Dobasin.
Ndërkohë, ekziston edhe një mundësi e vogël, por që i tremben të gjithë, Putin mund t’i shpallë luftë të gjithë botës. Kjo do të sillte Luftën e Tretë Botërore, që do të sillte pasoja shkatërruese për të gjithë botën, për shkak të përdorimit të armëve bërthamore, të cilat Putin vështirë se do t’i kursente.
Sytë janë të gjithë në Sheshin e Kuq të Moskës, teksa pritet me interest ë madh fjalimi i Vladimir Putin, për të mësuar se çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë dhe jo vetëm.