Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka udhëtuar sot për në Berlin ( Gjermani) ku do të marrë pjesë në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, që do të mbahet më 15 Maj 2022.
Fokusi kryesor i diskutimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, pritet të jetë mbi situatën aktuale si pasojë e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndikimet e këtij agresioni mbi sigurinë e vendeve të NATO-s. Ministrat e Jashtëm të NATO-s po ashtu do të diskutojnë dhe mbi mbështetjen e Aleancës dhe të vendeve aleate për Ukrainën si dhe pritet të trajtojnë me homologët e tyre nga Finlanda dhe Suedia tematikën e anëtarësimit të mundshëm të këtyre dy vendeve në NATO.
Menjëherë pas Berlinit, Ministrja Xhaçka do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin informal të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, z. Josep Borrell.
Gjatë qëndrimit të Bruksel Ministrja Xhaçka do të zhvillojë takime dypalëshe me homologun Italian Luigi di Maio si dhe me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Ndërkohë, pas Brukselit, kryediplomatja Xhaçka, në datat 18 dhe 19 Maj 2022 do të marrë pjesë në dy takime të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit të OKB, presidencën e të cilit për muajin Maj e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (tvklan)