Regjistrimi i popullsisë shërben si bazë vendimesh dhe planifikimi për autoritetet. Ai duhej të zhvillohej vitin e kaluar, por u shty për shkak të pandemisë.

Çdo dhjetë vjet, në Gjermani kryhet regjistrimi i popullsisë. Në bazë të rezultateve të regjistrimit, federata, landet federale dhe bashkitë janë në gjendje të marrin vendime në fusha të rëndësishme.

Pak para fillimit të regjistrimit, Zyra Federale e Statistikave theksoi se qytetarët e pyetur duhet të përgjigjen. Atyre u kërkohet të japin informacion të vërtetë, të plotë dhe brenda afatit të vendosur nga agjencitë e regjistrimit, tha Zyra në Wiesbaden. Përndryshe, janë të mundura vendosje dënimesh ose gjoba. 

Ata që nuk përgjigjen thirren dhe u kërkohet sërish të japin informacionin e kërkuar. Më pas, janë të mundshme faza të tjera, gjatë të cilave personat e pyetur kanë mundësinë të përgjigjen. Nëse të anketuarit nuk respektojnë detyrimin e tyre për të informuar edhe pas disa kujtimeve, janë të mundshme gjoba. Shuma përcaktohet nga landet.

Detyrimi për të dhënë informacion ka shkaqe.  “Pjesëmarrja është e nevojshme për të arritur nivelin e lartë të cilësisë dhe saktësisë që kërkohet për rezultatet e regjistrimit,” thotë Katja Wilken, menaxhere e përgjithshme e projektit për regjistrimin e vitit 2022 në Zyrën Federale të Statistikave. Në të vërtetë, regjistrimi i vitit 2022 tregon se sa njerëz jetojnë në Gjermani, si jetojnë dhe punojnë. “Në bazë të rezultateve të censusit, politika mund të marrë vendime të rëndësishme”, shpjegon Katja Wilken. Kjo përfshin përgjigjen e pyetjeve të tilla si: Ku kemi nevojë për më shumë strehim për familjet? Apo ku dhe pse ka banesat bosh?

Nga e hëna e ardhshme do të bëhet një regjistrim i popullsisë në Gjermani, për herë të parë në njëmbëdhjetë vitet e fundit. Më shumë se 30 milionë njerëz do të intervistohen në të gjithë Gjermaninë. Shumica e pyetjeve mund të marrin përgjigje në internet. Por ka edhe pyetësorë në letër. Të dhënat do të përpunohen në mënyrë anonime. Sondazhet pritet të përfundojnë në mes të gushtit.