Kryebashkiaku i Kharkiv, Ihor Terekhov, ka thënë për BBC se trupat ruse janë tërhequr nga zonat e qytetit të Kharkiv në drejtim të kufirit. Ai tha se trupat ruse mundën që të hynin vetëm në një pjesë të vogël të qytetit verilindor një herë, por qëndruan aty vetëm pak kohë.
“Rusët kanë bombarduar në mënyrë konstante Kharkiv sepse po qëndronin afër qytetit. Falë forcave tona, ata janë tërhequr në drejtim me kufirin rus”, ka thënë ai.
Kryebashkiaku është shprehur se tashmë është qetë dhe njerëzit mund të kthehen gradualisht në qytet. Ai u shpreh se në Kharkiv ka furnizime me ujë, gaz dhe elektricitet.
“Megjithatë, fatkeqësisht, shumë ndërtesa rezidenciale janë shkatërruar ose dëmtuar. Kështu që në të ardhmen do të na duhet të bëjmë një rindërtim të madh”, është shprehur ai.
Terekhov ka thënë që në qytet nuk ka pasur bombardime për të paktën 5 ditë.