Mali i Zi dhe Kosova lënë të hapur mundësinë e rishikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit. Presidentja Vjosa Osmani priti në Prishtinë homologun fqinj, Milo Gjukanoviç, në vizitën e parë zyrtare në Kosovë.
Pas një takimi 1 orësh me dyer të mbyllura, dolën në një konferencë për shtyp ku folën për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe korrigjimin e ndarjes kufitare, një marrëveshje e vulosur dhe e ratifikuar në parlamentet e të dyja vendeve.
Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë, raporteve të shkëlqyeshme miqësore”, tha Osmani.
“Ne nuk dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar. Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime, për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, u shpreh Gjukanoviç
Presidenti i Malit të Zi ofroi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, ndërsa bashkë me Osmanin kundërshtuan sërish nismën Ballkani i Hapur.
“Ka dëshmuar sidomos muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim edhe më të madh të Rusisë, andaj atë duhet ta ndalojmë me çdo kusht. Në vend që të përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së, do t’i vendoste ato në një dhomë pritje dhe rrjedhimisht do të zgjaste edhe më shumë procesin integrues”, deklaroi Osmani.
Ndërsa Milo Gjukanoviç theksoi: “Ne mendojmë që Open Balkan është një iniciativë e cila ka dalë në një moment depresioni që i ka kapluar vendet e rajonit dhe kanë menduar që ishte i pamundur integrimi europian dhe se ndoshta me largimin e kancelares Merkel, integrimi europian për Ballkanin Perëndimor është duke u shuar. Por kjo nuk është e saktë”
Presidenti i Malit të Zi u shpreh në mbështetje të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE.