Hetimet e SPAK kanë hedhur dritë edhe mbi vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela. Në fillim dyshohej se ekzekutuesi i tij ishte Nuredin Dumani, por mesa duket dëshmia e këtij të fundit ka nxjerrë në skenë një emër tjetër.
Gazetarja Anila Hoxha referuar burimeve të sigurta nga SPAK thotë se Bujar Çela është vrarë nga Besjan Xhixha dhe një person tjetër i shpallur në kërkim. Xhixha ndodhet tashmë në burg, ndërkohë që po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Gjithashtu një tjetër vrasje e zbardhur është ajo e Fatmira Dedës, nënës së Ervis Dedës, i përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës në vendet perëndimore. Sipas burimeve nga SPAK, ekzekutuesi i saj është Talo Çela. Ajo u qëllua me mjete metalike, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej”. Në momentin që ajo ndodhej e vetme në garazh, disa persona e kanë qëlluar atë me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa autorët e krimit janë larguar në drejtim të paditur.
VIDEO/ Si ndodhi ekzekutimi i Bujar Çelës
Bujar Çela, vëllai taksist i të shumëkërkuarit Talo Çela, u ekzekutua më 17 shtator të vitit 2020, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit. Ai ishte i ulur në një lokal të zonës dhe priste të niste punën, herët në mëngjes, kur tre persona të maskuar e ekzekutuan pa mëshirë.
Siç shihet dhe nga pamjet, e gjithë ngjarja ka ndodhur për rreth 20 sekonda dhe ekipi i “vrasësve” përbëhet nga tre persona. Ata kanë qëlluar fillimisht në drejtim të Bujar Çelës nga një distancë rreth 5-6 metra.
Duke qenë se Bujar Çela lëvizi nga vendi dhe ra në tokë, afrohet një nga autorët, gjysmë i maskuar. Pas 2 sekondash vjen një tjetër person me kapele dhe me antiplumb, i cili matet të qëllojë por i bllokohet pistoleta dhe bën me shenjë të afrohen dhe dy shokët.
Rikthehet sërish pranë trupit të rrëzuar, personi i cili qëlloi i pari, por nuk kuptohet nëse i shkrep arma. Pas tij, një tjetër person i veshur me tuta sportive dhe me maskë qëllon disa herë dhe largohet. Bujar Çela shihet duke u dergjur në tokë, në momentet e fundit të jetës.