Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të organizuar këtë të mërkurë, i ka dorëzuar medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, Komandantit të Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneral, Tod Daniel Wolters.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët janë pro-amerikanë duke theksuar se ne jemi këtu në këtë pjesë historie të lidhur kaq fort me mikun dhe aleatin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ofrojmë shprehjen më të thellë të mirënjohjes, personi që nderojmë është gjeneral dhe ndoshta, mund të jetë hera e fundit që kam privilegjin të nderoj një gjeneral. Ai u tregua shumë i sjellshëm duke thënë se ka marrë çdo yll dhe medalje që shteti amerikan jepte, kështu që shtimi i një tjetër embleme në uniformën e tij është privilegj. Shqipëria dhe shqiptarët janë shumë pro-amerikanë. Ndonjëherë miqtë tanë evropianë ndiejnë një lloj kureshtie se si ndodh që Shqipëria, shqiptarët janë kaq pro amerikanë. Disa nuk e dinë historinë tonë, e mund t’u dukemi budallenj. Jemi gjithçka por jo budallenj. Ne jemi këtu në këtë pjesë historie të lidhur kaq fort me këtë aleat dhe këtë mik, falë edhe një pjesë tjetër të historisë që e ndërpreu këtë marrëdhënie e cila këtë vit shënon 100 vjetorin e saj. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e patën pikënisjen 100 vjet më parë.”, tha ai.