Banorët në zonën “Kodra e Priftit” në Tiranë kanë dalë sot në protestë pasi kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, për shkak të projektit të lotit të 4 të Unazës së Madhe.
Duke folur për mediat ata shprehen se presin përgjigje nga qeveria pasi kërkojnë specialistë për të parë terrenin nga afër.
Një prej tyre shprehet se deri më tani zona është studiuar me anë të pamjeve të marra me dron. Ai i bëri kërkesë kryeministrit Edi Rama që një ditë para shembjes së banesave të pushkatojnë banorët që të mos shohin shtëpitë e tyre duke u hedhur në tokë.
“Ne presim përgjigje nga qeveria në radhë të parë. Nga ARRSH. Që të vijë. E kemi bërë të qartë që të vijnë të shikojnë terrenin. Kanë bërë një projekt duke e parë terrenin me dron. Nuk kanë ardhur ta shkelin me këmbë.
Ne do mundohemi që zëri jonë të dëgjohet. Kemi bërë padi për këtë punë. Do shkojmë sërish te bashkia. Kaq presim ne. Unë i bëj thirrje kryeministrit të zgjedhin skuadër pushkatimi të vijnë këtu një ditë para shembjes të na pushkatojë të gjithëve me burra me gra dhe me fëmijë. Që unë mos ta shoh fëmijën time kur të prishet”, shprehet ai