Maksim Debrova, i riu nga Elbasani ndërroi jetë pak ditë më parë gjatë punës në ndërtim në zonën e Milotit ku ishte i punësuar te kompania “Eral Construction”.
Gjykata e Kurbinit vendosi të lirojë nga qelia inxhinierin e kësaj kompanie, Mondi Turhani i cili tha se 34-vjeçari nuk kishte asnjë lidhje me subjektin në fjalë.
Por familjarët e viktimës thonë të kundërtën. EGNATIA NEWS ishte sot në banesën e Maksim Debrovës ku motra dhe bashkëshortja e këtij të fundit thonë se kanë fakte që provojnë se i afërmi i tyre punonte në ndërtim.
Motra e viktimës shprehet se i vëllai i dërgonte çdo ditë video nga vendi i punës ndërsa shton se e merrnin dhe e sillnin çdo ditë me makinë nga shtëpia në punë. Megjithatë, përpos drejtësisë ajo kërkon mbështetje financiare edhe për fëmijët e vëllait të ndjerë të cilët sot kanë mbetur në mëshirë të fatit.
“Vëllai im kur punonte më sillte video. Çdo punë që bënte aty brenda. Merrte video dhe m’i sillte mua. Pyetëm një qytetare atje më tha sillni dhe gazetaren të flasë nuk e kam problem. Më tha nuk e prisja të vije këtu. I thashë desha ta di a ka ngrënë gjë vëllai a ka ngrënë gjë mos të ikë me barkun bosh.
Më tha mos e ki merak kur të dojë ujë të trokasë në derë. Tha para pesë minutash kishte pirë ujë kur e pashë tha pas pesë minutash kishte rënë në tokë dhe ishte bërë gjak. Mora një peshqir dhe ia vura. Nuk na tregojnë të vërtetën. Thonë që nuk ka qenë në punë por vëllai ka qenë në punë. I kam videot në telefon”, thotë ajo.
Të njëjtën gjë kërkon edhe bashkëshortja e viktimës. Drama e familjes thellohet akoma më shumë nga problemet shëndetësore të vajzës së madhe që la pas 34-vjeçari. E ëma tregon që ajo merr një mbështetje financiare nga shteti, por këto nuk i dalin as për vete.
“Ai ka qenë në punë. Kjo është e vërteta. Ai punonte prej një viti. Vinin e merrnin. Ishte shumë e vështirë të punonte. Për tre fëmijë, vet i pesti. Me 100 mijë lekë që merrte nuk ia dilte dot. Prandaj detyrohej të punonte. Ne kërkojmë një mbështetje për fëmijët se ai iku dhe e drejta nuk besoj të dalë kurrë. Kërkoj mbështetje financiare për fëmijët.
Jemi në situatë të vështirë. Vajza është me pampers 10-vjeçe sepse nuk ulet dhe nuk ngrihet dot vetë. Ato që merr goca nuk i dalin as për vete. Prandaj kërkoj mbështetje nga shteti të më ndihmojë në gjendjen ekonomike ku jam. Drejtësi kërkoj sepse nuk e di a do dalë e drejta. Drejtësi dua që ta di si u vra dhe si ndodhi. Mos ta mohojnë që ka qenë në punë.
U ndjemë keq sepse është gjynah kur punon në punë të zezë dhe thonë pastaj nuk është në punë. Paguhej 20 mijë lekë. Merrte ushqime për fëmijët. Telefonin e ka policia për momentin. Atë ditë që ka qenë në punë që vdiq nuk kemi video por kemi video të ditëve të tjera. E merrnin me makinë dhe e sillnin prapë. Djali e ndjen mungesën e babait”, shprehet ajo.