Trupi i një gruaje shqiptare u gjet në shtratin e lumit Parmignola rreth orës 02:00 të mëngjesit këtë të diele në Sarzara, në provincën e La Spezia. Kufoma u gjet nga disa turistë.
Ajo ishte gjysmë e zhveshur dhe dyshimet e para, sipas mediave italiane, janë se mund të bëhet fjalë për një prostitutë.
Ajo është identifikuar si Nevila Pjetri, 35 vjeçe dhe jetonte në Carrara. Sipas të dhënave të para, dyshohet se shqiptarja fillimisht është rrahur e më pas është vrarë me një plumb në kokë.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur diku tjetër dhe më pas trupi i 35-vjeçares është hedhur në vendin ku u gjet. Karabinierët gjetën edhe makinën e viktimës të parkuar jo shumë larg vendit ku u gjet e vrarë. Autoritetet mësohet se po ashtu po kërkojnë automjetin tek i cili ajo hipi gjatë orëve të vona të natës, sipas disa dëshmitarëve. Karabinierët mësohet se po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në një karburant të zonës, ku ndalojnë klientët e prostitutave.
Sipas hetuesve, gruaja u pa për herë të fundit orët e vona të së shtunës ndërkohë që hipte në një makinë të bardhë që drejtohej nga një burrë. 35-vjeçarja ishte mjaft e njohur në rrethin e saj. Mësohet se ishin mikeshat dhe koleget e saj që dëshmuan për makinën që ajo hipi dhe me të cilën u largua. Një tjetër dëshmitar tha se kishte parë një burrë që tërhiqte kufomën drejt lumit.