Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht në një sqarim për opinionin publik lidhur me situatën e zjarreve në ishullin e Sazanit dhe tregon arsyet pse nuk po përdoren helikopterët e Forcave të Armatosura për të shuar flakët.
Në sqarimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se FA-të, disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në raste emergjencash si zjarret, ka po ashtu në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave.
Sipas ministrisë, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, që kryhet vetëm nga uzina jashtë vendit.
Ndërsa një pjesë e helikopterëve Cugar të riparuar ndodhen në Shqipëri.
Ndërkohë që, “për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat”, Ministria e Mbrojtjes sqaron se “Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERCC) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë”.
VIJON…
REAGIMI I MINISTRISE SE MBROJTJES
Transparencë mbi gatishmërinë e mjeteve ajrore.
Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.
FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave.
Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt.
Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi.
Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh.
Ndërsa një pjesë e helikopterëve Cugar të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit të NATO (NSPA) ndodhen në Shqipëri.
Ndërkohë për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERCC) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë.
Edhe vendet fqinje përdorin këtë mekanizëm për të përballuar nevojat e tyre ne raste emergjencash. Siç e kemi thënë edhe më parë kapacitetet tona të brendshme janë të limituara.
Ndërkohë edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme.
Në vëmendje të medias kujtojmë se tabela e organizimit dhe pajisje të FA, numrave dhe dokumenteve që lidhen me të konsiderohet informacion i klasifikuar konfidencial.