Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Segrei Lavorv iu pengua fluturimi për në Serbi nga tre vende, Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Për këtë, diplomati i lartë rus ka reaguar ashpër, duke e konsideruar të papranueshme pengesën që iu bë, ndërsa autoritetet në Moskë dënuan veprimin e tre shteteve.
Sipas Lavrovit, nuk mund t’i hiqet një shteti sovran e drejta për të ndjekur politikën e saj të jashtme. Por teksa komenton se çfarë do të diskutohej në Serbi, Lavrov përmend edhe Ballkanin e Hapur, duke thënë se BE nuk ka pranuar që Moska t’i japë mbështeje Serbisë, apo projektit Ballkani i Hapur.
“Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur-tha ministri i Jashtëm rus, raporton media serbe Kurir.
Më tej Lavrov thotë se BE dëshiron të bëjë një projekt të quajtur “Ballkani i mbyllur”, që sipas tij kjo politikë është e përqendruar në drejtimin anti-rus.
“Ne vlerësojmë qëndrimin e guximshëm të Serbisë dhe personalisht të presidentit Vuçiç, i cili thekson se nuk do të angazhohet në aktivitete antiruse, por Bashkimi Evropian dëshiron që të gjithë kandidatët të marrin përsipër detyrime të karakterit rusofobik”, tha Lavrov.