Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e cilësoi si të paaftë qeverinë Rama për menaxhimin e krizës së çmimeve.
Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të kësaj të hënë, Tabaku u shpreh se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur gati dy herë, ndërkohë që qeveria nuk mendon për qytetarët por miraton një akt normativ për kompensimin e 80 milionë eurove ndaj kompanive të ndërtimit.
“Çmimet e ushqimeve bazë janë rritur rreth dy herë. Çfarë bën qeveria? Bën një akt normativ që vendos të kompensojë kompanitë e ndërtimit me 80 milionë euro. Kompanive të miqve dhe familjarëve të Partisë Socialiste. Kjo është në kufijtë e arrogancës”, tha Tabaku.
Gjithashtu Tabaku foli dhe për Bordin e caktimit të çmimit të karburanteve. Ajo theksoi se bordet janë në dëm të interesit publik dhe favorizojnë oligarkët që janë pjesë e tyre.
“Desha të ndalesha te një problem që prek të gjithë qytetarët shqiptarë. Bordi i caktimit të çmimeve për karburantet, i cili nuk ka asnjë fuqi të bazuar në ligj. Çudia më e madhe ka ndodhur ditët e fundit, ku shumë karburante kanë çmim më të ulët se ai i caktuar nga bordi. Bordet janë dëm të interesit publik dhe në dëm të ekonomisë”, tha Tabaku.