Kryeministri Edi Rama dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku janë përplasur sot në Kuvend për shifrat e ekonomisë. Të dy iu referuan INSTAT, por secili me shifra të ndryshme.
Ndërkohë kryeministri Rama teksa lexonte shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave i kujtoi edhe ballafaqimin në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.
Rama edhe njëherë solli në vëmende se ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, Shqipëria nuk ka rritur çmimin e energjisë.
“Unë jam dakord me ju zonja Tabaku është shumë e rëndësishme dhe e dobishme që të flasim për jetën e përditshme të njerëzve dhe duke qenë se unë nuk kam shkollë dhe ju jeni me shkollë unë nuk po hyj se nuk hyj dot tek debati me ministren e Financave, por po i marr me radhe disa gjëra që thatë.
Duke qenë se ju flisni me shifra, unë do isha mirënjohës nëse do të më orientonit ku i keni gjetur shifrat e INSTAT se unë i kam përpara.
Sipas Instat inflacioni në Shqipëri është rritur 6.2% në Serbi 9.6, në Maqedoni 10.5, në Kosovë 11.2, Mal të Zi 11.2 dhe Bosnjë 12.3%.
A ka ndonjë arsye pse Shqipëria të jetë sa gjysma e rajonit kur vjen puna tek rritja e inflacionit? Me siguri ka arsye. Së paku janë dy arsye të rëndësishme. E para fakti që vetëm në Shqipëri si në askund tjetër në rajon dhe Evrope çmimi i energjisë mbahet aty ku ishte para se të shfaqeshin simptomat e krizës, kudo tjetër energjia po bën raprezalia.
Nafta është tjetër komponent, por energjia për të cilën ne vazhdojmë të paguajmë nga buxheti është arsye pse kemi këtë normë inflacionit.
E dyta rritja e prodhimit vendas, sepse nuk e kemi importuar të gjithë masën e normës së inflacionit nga vendet e tjera edhe për shkak të zëvendësimit.
Dje solla një shifër konkrete në Samitin e Ballkanit të Hapur. Vetëm për eksperte me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut kemi një rritje domethënëse në aspektin e fondeve.
Ju folët për një shifrën që më kujtoi atë 430 mln që kemi pasur edhe një ballafaqim, ju në rolin e prokurores unë të dëshmitarit”, tha Rama.