Më datë 25 korrik, një ditë pasi të heqë kostumin e Presidentit, Ilir Meta do të kthehet në politikën aktive si opozitar. Në një intervistë për “Open”, në “News 24”, kreu i shtetit ka dhënë përgjigje se në cilën anë do të qëndrojë.

Ai tha se zgjedhjet e 25 prillit caktuan detyrën e tij për të qenë opozitar, ndërsa për Kryeministrin Rama tha se është i vetëpërjashtuar nga bashkëpunimi, për shkak se sipas tij ka punuar kundër interesit të shqiptarëve.

Presidenti Meta tha se ai do të ndërmarrë nismën për t’u rikthyer Shqipërinë shqiptarëve dhe për ata që e mendojnë mision të vështirë, kreu i shtetit tha se komunizmi është kohë e humbur. Sakaq, për herë të parë,

Meta tha se e kishte paralajmëruar Berishën që në shkurt të 2021 se do të shpallej “non grata” nga SHBA dhe se, sipas Metës, faktor kryesor ishte ishkryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe Kryeministri Rama.

Z. Meta, do të jeni në aleancë me Berishën pasi të hiqni kostumin e Presidentit?

Meta: Çdo pyetje pas 24 korrikut, do ta marrë përgjigjen pas 25 korrikut. Nuk mund të fsheh që 25 prilli e përcaktoi detyrën time. Unë jam betuar në Kushtetutë dhe pjesë e betimit është afati 24 korrik dhe kam bërë shumë mirë. Misioni im është në arenën politike. Për të rikthyer demokracinë. Për të gjithë shqetësimet që ju ngritët. Nuk mund të funksionojë Parlamenti kështu. Duhet të rikthejmë llogaridhënien. Shqiptarët nuk dëgjohen. Bëhen këshillime, por u refuzohet referendumi.

Berisha u shpreh i sigurt për bashkëpunimin me ju, ndërsa ju keni një stepje. Ndërkohë që duket se keni një luajalitet me Kryeministrin.

Meta: S’kam pasur asnjë luajalitet me Kryeministrin, por me Kushtetutën dhe detyrimet e mia. Sepse po të mos e kisha firmosur, ju do thoshit që as këtë s’do ta kishim menduar. Deri në 24 korrik do të jem më i përmbajtur. Është tjetër gjë të thuash që ai është si vera dhe tjetër gjë për bashkëpunim.

Pavarësisht komenteve të përgjithshme, më pëlqen Presidenti që denoncon maxhorancën. Që është i vetmi pushtet i pakapur. Të gjitha pushtetet e tjera i kontrollon maxhoranca. Tani, në fund të mandatit, që i lejohet që të lëshojë retorikën, është më i stepur. Pse kjo stepje z. President?

Meta: Deri në 25 prill kam qenë i detyruar të jem i zëshëm, sepse kishte 0 opozitë në institucione. Zero opozitë në pushtetin lokal. Mbas 25 prillit kemi një situatë tjetër. Kemi një krizë ende të opozitës. Një pjesë e madhe e opozitës nuk po ushtrojnë mandatin e opozitarizmit, sepse një pjesë vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë. Por sido që të jetë, kemi një opozitë në Parlament. Kemi një aksion opozitar. Për këto arsye, roli im ka qenë i përmbajtur, por çdo ditë kam folur për problemet që ka vendi.

Vendi ka nevojë për opozitarizëm. Kryetari i PD-së është aktualisht “non grata”. Ju pengon juve ky fakt për të bashkëpunuar me të?

Meta: Nuk dua të hyj në çështje të tilla, për arsye se ajo që mua më shqetëson është që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve. Që shqiptarët janë më amerikanë se amerikanët, kjo dihet.

A mendoni se është një fletërrufe e porositur shpallja e Berishës “non grata”?

Meta: E kam paralajmëruar Berishën që do të shpallej “non grata” në shkurt të 2021-shit dhe pjesë e këtij procesi ka qenë Lulzim Basha. Rama ishte kryesori, por ky ishte më i rrezikshmi, sepse është njeriu i tij. I kam të gjitha informacionet për këto çështje dhe nuk besoj se është një çështje kaq e rëndësishme sesa bëhet. Berisha është politikan që ka një kontribut të veçantë në marrëdhëniet me SHBA-në që nga vizita e Bejker dhe anëtarësimi në NATO apo vizita e Bush. Problemi kryesor i shqiptarëve është t’u kthehet Shqipëria shqiptarëve.