Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka publikuar disa statistika zyrtare, që sipas tyre tregojnë numrin e luftëtarëve të huaj që kanë shkuar në Ukrainë dhe po luftojnë atje me vendasit, kundër pushtimit rus. Newsbomb.al sjell dokumentin e plotë të publikuar nga autoritetet në Moskë.
Referuar statistikave, siç shihet dhe në foton e mëposhtme, nga Shqipëria kanë shkuar në Ukrainë prej 24 shkurtit kur nisi dhe lufta, 150 “luftëtarë”. Nga këta, 42 raportohet se janë eleminuar, 40 janë deportuar dhe 68 të tjerë vazhdojnë të jenë akoma në Ukrainë.
Nuk dihet sa të sakta dhe të besueshme janë këto shifra, pasi autoritetet në Shqipëri nuk kanë dhënë ndonjë njoftim për shtetas që janë deportuar nga Rusia, të cilët janë angazhuar në luftë. Edhe më herët ministri i Jashtëm Lavror ka thënë se “mercenarë nga Ballkani po luftojnë në Ukrainë.”
Këto të dhëna janë shpërndarë dhe nga Ambasada e Rusisë në Tiranë. Në listë janë shtetas nga vende të tjera të Ballkanit, si Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, etj. Nga Kosova, referuar statistikave nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, janë: 156 luftëtarë, 61 janë vrarë, 60 janë deportuar dhe 35 po luftojnë ende.