Vazhdon operacioni i koduar ‘Restart’. Edhe një person u arrestua nga Policia e Korçës, duke e çuar numrin e të ndaluarve në 20, kurse në total janë sekuestruar rreth gjysmë ton kanabis. Fatjon Islamit, 22 vjeç nga Korça, iu kapën 8 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate.

NJOFTIMI ZYRTAR

Korçë- Finalizohet faza e tetë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar shtatë muaj më parë

Operacioni pas hetimeve intensive, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Vihet në pranga 1 tjetër shtetas dhe sekuestrohen 8 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate.

Shkon në​ 20 numri i të ndaluarve, në 493.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur shtatë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e​ tetë të tij, si rezultat i së cilës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– F. I., 22 vjeç, banues në Elbasan.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara se shtetasi i mësipërm do të transportonte një sasi droge, forcat e Policisë organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip “Volkswagen”, me drejtues 22-vjeçarin, në qytetin e Bilishtit. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatua 1 çantë sportive e zezë, brenda së cilës u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 1 pako tjetër me peshë 550 gramë kanabis në formë çokollate. 

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.