Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi të hënën se Afrika ishte një “peng” i luftës të Rusisë në vendin e tij, çka ka sjellë edhe mungesa globale të ushqimit dhe rritje të çmimeve në kontinentin afrikan.
Vendet afrikane janë prekur thellësisht nga kriza, e cila ka rritur çmimet e drithërave, vajrave të gatimit, karburanteve dhe plehrave kimike.
Së bashku, Rusia dhe Ukraina eksportojnë pothuajse një të tretën e grurit dhe elbit në botë, mbi 70 për qind të vajit të lulediellit dhe janë furnizuese të mëdha të misrit. Rusia është prodhuesja më e madhe në botë e plehrave bujqësore.
Çmimet botërore të ushqimit veçse janë rritur dhe lufta i ka përkeqësuar më shumë gjërat, duke parandaluar që rreth 20 milionë tonë të drithërave ukrainase të eksportohen në Lindje të Mesme, Afrikë të Veriut dhe pjesë të Azisë.
Në një fjalim para udhëheqësve të Bashkimit Afrikan, Zelenskiy tha se kontinenti gjëndej në këtë situatë jo për shkaqe të brendshme.
Ju drejtohem në një gjendje të jashtëzakonshme, kur jemi në luftë. Në një emergjencë për të gjithë botën, kur Afrika në fakt po mbahet peng. Peng i atyre që filluan luftën kundër shtetit tonë”, tha Zelenskiy në një fjalim video në Byronë e Asamblesë së Bashkimit Afrikan.
“Kjo luftë mund të duket shumë e largët për ju dhe vendet tuaja. Por rritja katastrofike e çmimeve të ushqimeve tashmë e ka sjellë atë në shtëpitë e miliona familjeve afrikane.”
Moska hedh poshtë akuzat se po bllokon qëllimisht eksportet e grurit nga Ukraina dhe thotë se rritja globale e çmimeve të ushqimit dhe karburantit është për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të 24 shkurtit, të cilin ajo e quan një “operacion special ushtarak”.
Në fillim të qershorit, presidenti i Senegalit Macky Sall tha se presidenti rus Vladimir Putin i kishte thënë se ishte gati të mundësonte eksportin e grurit ukrainas për të lehtësuar krizën globale të ushqimit që po godiste veçanërisht Afrikën.
Të hënën, Sall, i cili është gjithashtu kryetar i Bashkimit Afrikan, tha në Tëitter pas fjalimit të Zelenskiy se kontinenti mbeti i përkushtuar ndaj respektimit të ligjit ndërkombëtar, zgjidhjes paqësore të konflikteve dhe tregtisë së lirë.